Përgatitjet për shkollë: Këshilla thelbësore për fillimin e një viti të ri shkollor

Me përfundimin e pushimeve verore dhe afrimin e një viti të ri shkollor, ne jemi të mbushur me emocione! Por ka diçka të rëndësishme për prindërit që duhet ta kenë parasysh përpara se të fillojë shkolla. Gjatë verës, fëmijët shpesh i ndryshojnë oraret e tyre të zakonshme, ndaj është e rëndësishme të sigurohet një fillim i qetë dhe i suksesshëm, duke nisur edhe para ditës së parë të shkollës. Këtu janë disa këshilla kryesore për të ndihmuar fëmijët tuaj të përgatiten për vitin e ri shkollor.

 

Rregullimi i orarit të gjumit

Me fillimin e vitit të ri shkollor është e rëndësishme që dalëngadalë të ndryshoni orarin e gjumit të fëmijës suaj. Filloni të rregulloni orarin e gjumit të paktën një javë përpara fillimit të shkollës, duke synuar një rutinë të qëndrueshme të fjetjes dhe të zgjimit që përputhet me orarin e mësimit. Fëmijët duhet të pushojnë mirë ashtu që të fokusohen maksimalisht në mësime!

 

Krijimi i një përditshmërie të organizuar të ditës

Filloni të riorganizoni rutinat e mëngjesit dhe të mbrëmjes që do të vazhdojnë sapo të fillojë shkolla. Kjo mund të përfshijë caktimin e një ore të rregullt për mëngjes, organizimin e detyrave dhe çantës së shkollës, si dhe përgatitjen e rrobave një natë më parë. Shprehitë e vazhdueshme ndihmojnë në krijimin e një dite të organizuar mirë dhe pa ngarkesë si për ju ashtu edhe për fëmijët tuaj!

 

Organizimi i pajisjeve dhe materialeve shkollore

Një nga mënyrat më të mira për të nisur vitin shkollor është duke i pasur gati të gjitha materialet e nevojshme para fillimit të shkollës. Krijoni një listë të artikujve të kërkuar bazuar në nivelin e klasës së fëmijës tuaj dhe rekomandimet e shkollës. Përfshini fëmijën tuaj në procesin e organizimit të materialeve shkollore, për një përvojë më emocionuese të fillimit të shkollës!

 

Vendosja e qëllimeve dhe pritshmërive të përbashkëta

Fillimi i një viti të ri shkollor është periudha ideale për të biseduar me fëmijët tuaj dhe për pritshmëritë dhe qëllimet që keni. Nxitini ata të reflektojnë mbi atë që duan të arrijnë në shkollë, në shoqëri dhe në zhvillimin e aftësive personale. Për më tepër, diskutoni pritshmëritë tuaja në lidhje me detyrat e shtëpisë, sjelljen dhe kohën para ekranit për t’u siguruar që të gjitha planifikimet të jenë në harmoni me ju dhe fëmijët tuaj.

 

Krijimi i një energjie pozitive para fillimit të vitit të ri shkollor

Para fillimit të vitit shkollor duhet të mbizotërojë një energji pozitive! Bisedoni me fëmijët tuaj për emocionet e reja, kalimin e sfidave dhe të gjitha çështjet me interes. Trajtoni çdo shqetësim ose problem që fëmijët mund të kenë dhe sigurohuni që të krijoni një përshtypje që mund të bisedoni hapur me ta jo vetëm para fillimit të vitit shkollor, por në çdo kohë. Duke u përgatitur për vitin e ri shkollor, ju mund ta ndihmoni fëmijën tuaj të ndihet i sigurt, I organizuar dhe gati për suksese. Ne ju urojmë të gjithëve një fillim sa më të mbarë dhe të suksesshëm. Mezi po presim të ju shohim në Horizon School!