Përfitimet e të qenurit pjesë e rrjetit prestigjioz të Cambridge International Education

Ofrimi i mundësive më të mira për fëmijët tanë nuk është është vetëm një qëllim, është një përgjegjësi e plotë për secilin nga ne. Ne në Horizon School, jemi të përkushtuar për të përmbushur këtë përgjegjësi duke ofruar më të mirën për nxënësit tanë. Tash e një vit, Horizon School është akredituar nga rrjeti prestigjoz i shkollave ndërkombëtare të Cambridge International Education, një moment historik që ka shënuar fillimin e një rrugëtimi transformues për nxënësit dhe mësimdhënësit tanë. Ky akreditim nënkupton më shumë se një titull, ai përfaqëson angazhimin tonë për të ofruar standardet më të larta të arsimit në Kosovë.

Çfarë do të thotë të jesh i akredituar si Cambridge International School dhe si përfitojnë nxënësit tanë?

Të qenurit shkollë e akredituar si Cambridge International School është një tregues i cilësisë dhe standardeve të larta të arsimit që ofron institucioni ynë. Ky akreditim, i dhënë nga Cambridge International Education, kërkon që shkolla të përmbushë kriteret rigoroze në lidhje me përmbajtjen e plan programit, metodave të mësimdhënies dhe mbështetje e vazhdueshme për zhvillimin profesional të mësimdhënëve.

Për nxënësit tanë, ky akreditim ofron një sërë përfitimesh të rëndësishme. Ata kanë qasje në materiale dhe burime të avancuara, mundësi për të zhvilluar aftësi kritike dhe analitike në nivelin më të lartë dhe për të ndjekur një program arsimor që është i njohur dhe i respektuar në të gjithë botën. Horizon School përmes akreditimit si Cambridge international School, u mundëson nxënësve të saj që t’i nënshtrohen testeve ndërkombëtare të përgatitura nga Cambridge International Education dhe nëse i kalojnë me sukses këto teste, ata do të pajisen me diplomë të njohur globalisht.

Pas pajisjes me  diplomë, nxënësit e Horizon School kanë mundësi të shkëlqyera për të vazhduar studimet në universitete prestigjioze dhe për të zhvilluar karriera ndërkombëtare, duke e bërë diplomën e tyre një pasaportë të vlefshme për mundësi globale.

Plan programi ynë mësimor është gërshëtim i përkryer i kurrikulës së MASHTI-it dhe programit të avancuar të Cambridge, i hartuar për të sfiduar nxënësit duke i inkurajuar ata të mendojnë dhe të analizojnë secilën nga lëndët mësimore. Qasja jonë nuk bazohet vetëm në procesin mësimor, por edhe në zhvillimin e karaktereve të forta individuale, zhvillimin e aftësive ndërpersonale dhe shoqërore, si dhe përballjen me sukses të çdo sfide drejt së ardhmes.

Për më tepër, plan programi i Horizon School ka në fokus qasjen STEM, duke vendosur një themel të fortë në fusha thelbësore si matematika, shkenca, teknologjia dhe kodimi, por gjithmonë në përputhje me talentet dhe aktivitetet jashtëshkollore të nxënësve. Ky program siguron që çdo nxënës mund të përshtatë arsimin e tij me pikat e forta dhe synimet e tij individuale.

Ne jemi të përkushtuar të përmirësojmë vazhdimisht standardet tona, duke siguruar që nxënësit tanë të marrin përgatitjen më të mirë të mundshme për të ardhmen e tyre. Ky akreditim është më shumë se një grup standardesh; është një rrugë drejt suksesit, duke u ofruar nxënësve tanë njohuri, aftësi dhe zhvillim. Qëllimi ynë në Horizon School nuk është vetëm të edukojmë, por edhe të fuqizojmë nxënësit tanë për të arritur një të ardhme të suksesshme. Duke qenë pjesë e rrjetit të Cambridge International Education, ne kemi zgjeruar perspektivat dhe horizontet tona, jo vetëm si shkollë, por edhe për prindërit dhe nxënësit tanë.

E ardhmja nis me ne!

Recommended Posts