
Pavarësia e Kosovës nuk është vetëm një moment
historik, por një dëshmi e sakrificave, guximit dhe përpjekjeve të vazhdueshme
për liri. Në nder të kësaj dite të madhe, organizuam një program të veçantë, i
cili solli një përjetim të paharrueshëm për nxënësit, prindërit dhe të gjithë
të pranishmit.
Aktiviteti u hap me një interpretim emocionues të
Himnit të Kosovës, ku kori i shkollës, i shoqëruar nga tingujt e violinës dhe
kitarës, krijoi një atmosferë magjike. Më pas, Kryetari i Bordit të Shkollës,
Prof. Dr. Besim Beqaj, foli mbi rolin e edukimit në formimin e gjeneratave të
reja dhe rëndësinë e ruajtjes së vlerave kombëtare.
Drama “Rajonet e Kosovës”, e interpretuar
nga nxënësit, përcolli një mesazh të fuqishëm mbi historinë dhe kulturën e
trevave tona, duke vënë në pah identitetin dhe traditat që na karakterizojnë.
Vallja “Baresha”, u interpretua nga
nxënëset, duke sjellë në skenë një pjesë të bukurisë së folklorit shqiptar.
Recitali emocional “17 Shkurti” përshkroi
fuqishëm sakrificat që sollën ditën e sotme.
Instrumentali
“Mora fjalë” u soll në një formë të veçantë përmes tingujve të
çiftelisë dhe baterisë, duke rikthyer emocionet e muzikës tradicionale.
“Unë jam shqipe nga Kosova”, e kënduar nga
nxënësit më të vegjël, përcolli energjinë dhe dashurinë për atdheun, duke
simbolizuar brezin që do ta çojë përpara këtë vend.
“Historia e vonshme e shtetit të Kosovës”,
një dramë e interpretuar me pasion, rikujtoi sfidat dhe rrugën e gjatë drejt
pavarësisë.
“Rrjedhë në këngë e ligjërime”, e shoqëruar
nga kori i shkollës, solli një moment artistik të veçantë që emocionoi çdo të
pranishëm.
Ekspozita me punime artistike, të krijuara nga nxënësit, pasqyroi kreativitetin dhe ndjenjat e tyre për shënimin e kësaj dite madhështore.
“Drenica ime” dhe “Pavarësia” u interpretuan me shpirt dhe emocion, duke sjellë në skenë energjinë dhe pasionin e nxënësve përmes këngëve dhe valleve tradicionale.
Ky program nuk ishte vetëm një moment festiv, por një
mundësi për të kujtuar të kaluarën me krenari dhe për të frymëzuar brezat e
ardhshëm drejt një të ardhmeje të ndritur.















































































